receta mjekesore - barnatDixhitalizimi


Fondi i sigurimeve shëndetësore do të rimbursojë aq barna sa janë shitur nga farmacitë


Përfituesit – Ky shërbim do të mund të realizohet vetëm në qendra shëndetësore dhe farmacitë, të cilat kanë një kontratë me FSDKSH


Qëllimi – e-receta do të shmangë abuzimet me barnat e rimbursueshme, duke i dhënë mundësi Fondit të rimbursojë aq barna sa janë dhënë


Dobia – e-receta rrit saktësinë në përcaktimin e barnave, ul mundësinë për dhënie të gabuar të barnave, redukton ndjeshëm kostot administrative


Recetat elektronike do të shërbejnë vetëm për barnat dhe recetat me rimbursim. Projekti pilot, i cili ka nisur të zbatohet në qytetin e Durrësit do të ofrohet vetëm për personat që janë përfitues të barnave me rimbursim, për asnjë tjetër jashtë kësaj liste. Receta elektronike e lejon mjekun, të krijojë dhe të transmetojë në mënyrë elektronike një recetë, si dhe farmacistin të ekzekutojë në mënyrë elektronike atë. “Roli i sistemit të recetës elektronike është gjenerimi, transmetimi, dhe plotësimi i recetave mjekësore bazuar tek infrastruktura elektronike, duke zëvendësuar përdorimin e recetave letër. Ajo realizohet vetëm për recetat me rimbursim dhe barnat nga Lista e barnave te rimbursuara. Gjithashtu funksionon për pacientët e pajisur me Kartë Shëndeti’, bëjnë me dije burime zyrtare nga Fondi i Sigurimeve. Ndërkohë, shtohet se projekti është bazuar në eksperienca të suksesshme të Bashkimit Europian. Nëpërmjet sistemit e-rx, Fondi i Sigurimeve të detyrueshme të kujdesit shëndetësor do të ketë mundësi që të kontrollojë, monitorojë dhe rimbursojë recetën elektronike. Pra e-receta do të shmangë abuzimet me barnat e rimbursueshme, pasi gjithçka do të jetë online, duke i dhënë mundësi Fondit të rimbursojë aq barna sa janë dhënë me anë të recetave elektronike. Ky shërbim do të mund të realizohet vetëm në qendra shëndetësore dhe farmacitë, të cilat kanë një kontratë me FSDKSH. Disa prej avantazheve të e-receta, lidhen me rritjen e saktësisë në përcaktimin e barnave, ulje të mundësisë për dhënie të gabuar të barnave për pacientët apo edhe redukton ndjeshëm kostot administrative për recetën. “Ruan historikun për sëmundjen dhe trajtimin e pacientëve, duke lehtësuar mjekun për të gjykuar trajtimin në vazhdimësi. Eliminon fenomenin e recetave fiktive në rimbursim. Shmang abuzimet me recetat e rimbursuara. Bashkëvepron online me institucionet e tjera duke shtuar efektivitetin në menaxhimin e riskut”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë. Prej 4 ditësh ka nisur zbatimi i projektit pilot për dhënien e recetave elektronike në qytetin e Durrësit, i cili më pas do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Kjo recetë do të funksionojë në mënyrë elektronike, çka do të thotë se mjeku e plotëson online dhe po në këtë mënyrë ua nis drejtpërdrejt farmacistëve. Pra, pacienti nuk do të ketë më nevojë të paraqitet në farmaci, pasi mjeku do t’ua dërgojë recetën të gjitha farmacive elektronikisht, ndërsa këto të fundit do të njoftojnë qytetarët për të marrë ilaçet e kërkuara. Mjafton që farmacitë të kenë kontratë me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe do të pajisen me recetën elektronike të cilitdo pacienti në kohë reale. Burime zyrtare nga Fondi i Sigurimeve kanë bërë të ditur më herët për gazetën “Shqip” se institucioni shëndetësor ua dërgon recetën të gjitha farmacive, ndërsa në fund është vetë pacienti ai që zgjedh farmacinë, ku dëshiron të blejë ilaçet. Projekti dixhital, e-receta ka nisur të pilotohet fillimisht në qytetin e Durrësit dhe sipas të dhënave do të shtrihet në 18 qendra shëndetësore dhe në 60 farmaci, por kjo vetëm për sa i takon pilotimit, pasi me zbatimin e projektit në të gjithë vendin, pjesë e zinxhirit do të jenë të gjitha farmacitë.  Ilda Hoxha