Tekstet me gabime
LGBT cilësohen pervers dhe pederast ndërsa pedofilia si “veprim i turpshëm”
Pasojat e teksteve shkencore me nivel të dobët dhe gabime të theksuara i konstatojmë gjatë proceseve gjyqësore edhe në Gjykatën e Lartë. Ndërsa komuniteti LGBT cilësohen dhe fyhen edhe në titujt shkencor me terma pervers apo pederast, pedofilia në disa raste paraqitet vetëm si “veprim i turpshëm”. Kjo u jep mundësinë të akuzuarve si pedofilë për avantazhime në procese gjyqësore apo edhe favorizime.
Botimet
Aranita Brahaj është autore e monografisë “Pedofilia. Krime Seksuale ndaj të miturve”. Në botimin e saj monografik autorja ka theksuar defekte të disa teksteve shkencore për student të drejtësisë, profili penale në Universitetin e Tiranës. Sipas Brahaj botimi “Mjekësia Ligjore”. Tiranë 2003. Autor Prof. Dr Sokrat Meksi; Dr. Bardhyl Cipi. ISBN: 999 27-796-9-1 ka përmbajtje të theksuar diskriminuese ndaj homoseksualëve dhe interpretime të gabuara mbi krime dhe gjendje seksuale të cilat shkaktojnë favorizim të autorëve pedofil në të drejtën shqiptare. Autorja ka depozituar konkluzione të kërkimit shkencor me përmbajtje si më sipër në dy departamente të drejtësisë. Në 2009-ën është vënë në dijeni një komision shkencor në departamentin e të Drejtës Penale në Fakultetin e Drejtësisë në UT, në 2010 këto konkluzione janë depozituar edhe në Departamentin e të Drejtës Publike, Fakulteti i Drejtësisë UET . Konkluzione të punimit Shkencor “Pedofilia. Krime Seksuale ndaj të miturve” me autore Aranita Brahaj, kanë nxitur reagimin Ambasadës Pink, komuniteti LGBT dhe Institucionit të Avokatit të Popullit në datat 9 dhe 10 nëntor 2012.
Sipas botimit të Brahaj tekst ende në përdorim në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, Departamenti e Drejtë Penale, jep kategorizimin e perversioneve seksuale ku përfshihet homoseksualizmi; fetishizmi; zoofilia; sadizmi ose mazohizmi; nekrofilia; ekzibicionizmi. Ky botim veç studentëve të të drejtës u referohet edhe ekspertëve mjekoligjorë, punonjësve të drejtësisë, prokuror, gjyqtar dhe avokat. Teksti në fjalë citohet në dhjetëra vendime gjyqësore të dy niveleve e njëkohësisht të Gjykatës së Lartë. Ndërkohe Kodi Penal në Republikën e Shqipërisë prej kohësh është distancuar nga ky qëndrim diskriminues duke shfuqizuar nenet që konsideronin veprimin si figurë vepre penale. Përcaktim i tekstit akademik është i gabuar, diskriminues dhe jo shkencor pasi OBSH prej dekadash ka përjashtuar homosekualitetin nga grupi patologjive Perversione seksuale.
Doktrina
“Pasojat e teksteve shkencore me nivel të dobët dhe gabime të theksuara i konstatojmë gjatë proceseve gjyqësore edhe në Gjykatën e Lartë”, thuhet në botimin e Brahaj.
Model studimi autorja ka marrë një rast të rëndë të dhunimit seksual të një të miture 12 vjeç. Megjithëse autori paraqet rrezikshmëri të lartë dhe viktima ka pësuar dëmtim të fortë fizik, psikologjik dhe emocional, akti është cilësuar thjesht “veprim i turpshëm”. Autori është ndëshkuar me një dënim simbolik dhe rehabilitim të shpejtë të skedës së tij penale. Kjo ka ndodhur pasi trupi gjykues është bazuar tek botimi shkencorë i sipërshënuar.
Gjykata e Larte duke referuar mbi doktrinën shqiptare që në rastin konkret ka favorizuar një nga profilet kriminale më të rrezikshme në kontekstin e abuzimit seksual me te miturit. Në vende fqinjë me ne si Kosova, Italia apo Greqi përkufizimi mjeko – ligjor i marrëdhënies seksuale si vepër penale e rëndë përfshin edhe veprimin për të cilin gjykata shqiptare ka krijuar një interpretim aspak korrekt dhe shumë diskriminues për viktimën.
Ky autor nëse nuk do të favorizohej nga teksti akademik i sipërshënuar, në një gjykim korrekt sipas mjekësisë ligjore bashkëkohore do të dënohej për akt seksual në rrethana rënduese 10 – 25 vite heqje lirie. Lorina Mixha
“Mjekësia Ligjore”. Tiranë 2003
Konkretisht ky tekst në faqen 140, KreuVII: Ekspertime Mjekoligjore në Çështjet Seksuale, vendos homoseksualitetin në grupin e perversioneve seksuale dhe jep këtë formulim shkencor:
Homoseksualizmi është prirja për epsh seksuale persona të të njëjtit seks. Kjo shihet më shpesh ndërmjet meshkujve në formën e pederastisë dhe më rrallë ndërmjet femrave në formën e safizmit ose lezbitizmit.