Ish-partnerja e Refit Buzit, i cili u vetëvra pas 9 orësh rrethimi dhe negociatash të dështuara me Policinë, do jetë dëshmitarja kryesore e ngjarjes së rëndë të ndodhur në Vidhisht të Fierit.
Burime nga Policia bënë me dije se Rozalina Plaka ka lënë ambientet e spitalit dhe ndodhet në komisariat, ku po merret në pyetje. Ajo do japë sqarimet për shkakun e ngjarjes dhe dinamikën që çoi në vrasjen e babait të saj, plagosjen e rëndë të nënës dhe pengmarrjen e vetë asaj. 35-vjeçari Refit Buzi mëngjesin e sotëm në fshatin Vidhisht të Roskovecit vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plakën, 58 vjeç, plagosi ish-vjehrrën, Belere Plakën, 55 vjeçe, dhe më pas mori peng ish-partneren e tij, të cilën e ka liruar disa orë më vonë.
Rrethimi i Refit Buzit nga Policia në fshatin Kurjan të Roskovecit zgjati rreth 8 orë. Pavarësisht thirrjeve nga RENEA, të cilët u afruan në distancë të afërt me mjetin ku qëndronte i ngujuar 35-vjeçari nuk pranoi të dorëzohej dhe u gjet i vetëvrarë në makinë. Më herët ai kishte refuzuar të dorëzohej, duke thënë se do qëllonte veten. Familjet e të dy palëve kanë dhënë qëndrime të ndryshme për motivet, teksa autori kishte precedentë të shumtë penalë për agresion.
