Halimi
Reformimi i pagave përmirëson dhënien e drejtësisë dhe redukton nivelin e korrupsionit
Ministria e Drejtësisë ka tashmë gati draftin e ligjit për reformën e pagave në sistemin gjyqësor. Një fakt i tillë u bë publik nga vetë ministri Halimi, që ka dhënë dhe arsyet se përse vjen një reformë e tillë, e cila do të jetë për diskutim në Kuvend në muajin prill.
Në strategjinë e reformës së sistemit te drejtësisë, përveç rritjes se eficensës së sistemit gjyqësor nëpërmjet rishpërndarjes së gjyqtarëve sipas ngarkesës, rritjes së transparencës së sistemit me fokus rritjen e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies, padyshim që përmirësimi i statusit të gjyqtarëve është një nga çështjet kryesore të reduktimit të korrupsionit në sistemin gjyqësor dhe rritja e pagave është element thelbësor i përmirësimit të statusit”, pohon Halimi.
Sipas tij, çdo gjyqtar që fillon punën ditën e parë nuk mund të ketë një pagë më të vogël se 100.000 lekë/muaj. “Një pagë më e mirë, do ta bëjë atë më të pavarur nga vektorët ekonomikë, por dhe të përgjegjshëm nga çdo sanksioni. Gjyqtari i krimeve të rënda do të paguhet jo më pak se 120.000 lekë/muaj. Një gjyqtar në Gjykatën e Apelit (minimalisht 7 vjet gjyqtar karriere) nuk mund të ketë pagë më të ulët se 140.000 lekë/muaj. Një gjyqtar i shkallës së parë me 25 vjet pune, pagën të njëjtë me gjyqtarin e apelit. Një gjyqtar në Gjykatën e Apelit, me 25 vjet punë, pagë të njëjtë me Gjykatën e Lartë”, sqaroi ministri i Drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë pretendon se në KLD, me iniciativën e Presidentit, po instalohet një sistem karriere transparent për gjyqtarët, duke i vlerësuar ata për punën e tyre çdo vit, me anë të kontrolleve, por kjo duhet shoqëruar, sipas këtij perceptimi, edhe me rritjen e pagave.
Në perceptimin popullor, sistemi i drejtësisë mbetet më i korruptuari në vend, nga të gjitha sondazhet e kryera, por Ministria e Drejtësisë, me anë të rritjes prej 20 deri në 30 mijë lekë të reja çdo muaj, mendon se mund të ndalë këtë korrupsion. Një rritje vjetore, me të ardhura 200 mijë lekë në vit, pritet sipas Ministrisë së Drejtësisë të ndalë korrupsionin ose tundimin për të korruptuar, në të paktën 40 deri në 60 procese gjyqësore, që çdo anëtar ka në 12 muaj për të gjykuar.