Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar me shumicë votash qëndrimin pro propozimit për riorganizimin administrativo-territorial, që parashikon bashkimin e Bashkisë Elbasan me Bashkitë Cërrik dhe Belsh.
Vendimi u mor pas konsultimeve publike të zhvilluara në territor, gjatë të cilave qytetarët dhe përfaqësuesit e aktorëve vendorë dhanë opinionet e tyre mbi reformën e propozuar.
Në procesin e konsultimit morën pjesë 670 persona. Prej tyre, 513 u shprehën në favor të riorganizimit, ndërsa 67 votuan kundër.
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak morën pjesë 36 nga 51 këshilltarët. Në votim, 26 këshilltarë votuan pro dhe 2 kundër propozimit.
Në mendimin e miratuar, Këshilli Bashkiak i Elbasanit nënvizon se riorganizimi duhet të shoqërohet me garantimin e vazhdimësisë dhe cilësisë së shërbimeve publike. Po ashtu, theksohet nevoja për të siguruar aksesin në shërbime dhe përfaqësimin e komuniteteve në territorin e ri të bashkuar.
Propozimi tashmë vijon procedurën për shqyrtim në kuadër të procesit të riorganizimit administrativo-territorial.
