Partia Demokratike njofton se sot në mesditë do të zhvillohet një dëgjesë mes përfaqësuesve të Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë të Shqipërisë dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale e Rajonale të Këshillit të Evropës, lidhur me procesin e rishikimit të Reformës Administrativo-Territoriale të vitit 2014. Sipas PD-së, takimi vjen pas kërkesës së Shoqatës së Bashkive për shqyrtimin e procesit dhe për t’i paraqitur strukturave të Këshillit të Evropës shqetësimet mbi respektimin e parimeve të Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore.

Njoftimi i plote:

Sot në mesditë, do të zhvillohet një dëgjesë e përfaqësuesve të Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë të Shqipërisë dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale e Rajonale të Këshillit të Evropës, pas kërkesës urgjente të Shoqatës për shqyrtimin e procesit të rishikimit të Reformës Administrativo-Territoriale të vitit 2014.

Qëllimi i takimit është angazhimi i Kongresit të Këshillit të Evropës lidhur me shqetësimet për shkeljen e parimeve dhe standardeve të Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore, si dhe kërkesa për frenimin e procesit të njëanshëm të rishikimit të hartës territoriale.

Më 17 gusht 2026, Shoqata iu drejtua Presidentes së Kongresit, Claudia Luciani, duke kërkuar një takim për të paraqitur shqetësimet e saj, gjë që u pranua. Shoqata ka theksuar se nuk kërkon mbështetjen e një harte apo force politike të caktuar, por kërkon që procesi të zhvillohet në mënyrë të plotë, transparente dhe në përputhje me standardet evropiane të demokracisë dhe autonomisë lokale.