Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar protesta në rast se reforma territoriale dhe ajo zgjedhore miratohen pa dakordësinë e opozitës.
Gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, Berisha deklaroi se PD-ja do t’i përgjigjet një skenari të tillë përmes protestave, ndërsa akuzoi qeverinë për ndërhyrje në procesin zgjedhor.
Sipas kreut të PD-së, ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale favorizojnë, sipas tij, personat e përfshirë në krime zgjedhore.
“Protestë, protestë dhe vetëm protestë”, u shpreh Berisha, duke pretenduar se zgjedhjet në Shqipëri janë “të kapura, tërësisht”.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se synon të ruajë kontrollin mbi procesin zgjedhor dhe deklaroi se opozita do t’u bëjë thirrje qytetarëve për të reaguar.
Berisha theksoi se qëndrimi i PD-së do të jetë kundërshtimi përmes protestave nëse ndryshimet në reformën territoriale dhe atë zgjedhore vijojnë pa konsensusin e opozitës.
