Këshilli i Lartë i Drejtësisë miratoi me vota unanime projekt-strukturën e re për administratën e KLD-së, ndërkohë që në mbledhjet e ardhshme do të diskutohet sërish për rregulloren e kësaj strukture. Në strukturën që pritet të reformojë plotësisht Këshillin e Lartë të Drejtësisë, parashikohet shtimi i numrit të inspektorëve që do të kontrollojnë gjyqtarët. Ndërkohë që risia më interesante është posti i Sekretarit të Përgjithshëm.
“Mendoj që struktura i jep një dimension te ri dhe një mundësi për dinamizim kryesisht të sfidës më të madhe që ka KLD që është inspektimi dhe kontrolli i veprimtarisë ligjore të gjyqtarëve tanë”, tha kryetari i KLD-së, Bujar Nishani.
Diskutimet e Këshillit vijuan me shqyrtimin e projekt akteve përfundimtare të vlerësimit të Kryeinspektores së Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për 2 gjyqtarë. Mbas realizimit të procedurës së votimit të këtij projekt akti, në përfundim u vendos vlerësimi “shumë mirë” për gjyqtarët e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë Brunilda Kadi dhe Fatri Islami. Gjatë mbledhjes u prezantuan edhe dy anëtarët e rinj të KLD-së, gjyqtarët Artan Broci dhe Astrit Haxhialushi, të cilët u zgjodhën një javë më parë nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare.
20 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)