Siria


Numri i sirianëve të larguar nga vendi si pasojë e luftës civile arriti në mbi gjysmë milioni vetë dhe çdo ditë, 3 mijë të tjerë u shtohen radhëve të tyre, bën të ditur agjencia e OKB-së për ndihmën ndaj refugjatëve, UNHCR. Refugjatët janë larguar nga lufta me shpresë për të shpëtuar jetën e vet dhe kanë kapërcyer kufijtë me vendet fqinje, veçanërisht Turqi, Liban e Jordani. “Vetëm gjatë ditës së fundit, patëm një mijë njerëz që kaluan kufirin në Jordani”, njoftoi zëdhënësja e UNHCR-së, Melissa Fleming.


“Ata mbërritën në kohë shumë të keqe, rrobat e tyre qenë lagur dhe këpucët i kishin me baltë”, tha ajo. “Skuadrat e UNHCR i përshkruajnë ata si të frikësuar dhe pa rroba të përshtatshme për dimrin.”


OKB-ja është duke u përpjekur aktualisht të sigurojë fondet e mjaftueshme për të ndihmuar numrin e madh të refugjatëve. Vetëm jetesa minimale e tyre kushton miliona dollarë çdo ditë. Siria ka një popullatë prej 22 milionë banorësh dhe vlerësohet se rreth 1.5 milionë prej tyre janë aktualisht në vështirësi për të mbijetuar në kushtet e dimrit dhe shkatërrimit të sistemit shoqëror nga lufta civile. Në rast se lufta vijon, OKB-ja pret më shumë refugjatë të mbërrijnë në vendet fqinje.


Ndërkohë, përveç gjysmë milioni refugjatësh të regjistruar pranë OKB-së, ka të dhëna se rreth 200 mijë të tjerë kanë lënë vendin pa kërkuar ndihmë. Në Turqi janë ndërtuar 14 kampe për refugjatët të ndërtuara nga qeveria e këtij vendi, ndërsa në vendet e tjera kampet janë ndërtuar me ndihmën e UNHCR-së.