
Një ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha do të deklaronte se kishte pasur oferta nga Rusia për të mos pranuar që gazsjellësi TAP të kalonte nëpër territorin shqiptar.
“Në marrëdhënien time me Uashingtonin, dy kanë qenë problemet kryesore: NATO dhe TAP-i. Sekretarja Clinton nuk u shpreh haptazi në mbështetje të projekteve, por duke vendosur në dispozicionin tonë stafin e saj më të kualifikuar për energjinë, na dha ndihmë të çmuar për të vijuar betejën tonë në favor të TAP-it. I them mafies së George Sorosit, që më ka shpallur “non grata” për korrupsion, se vetëm për TAP-in, Sali Berishës i janë ofruar shuma përrallore, por qëndrova në mbrojtje të interesave të vendit tim dhe Evropës, pasi isha i bindur se një “darë” gazi rus në vendin tonë ishte lajmi më i keq për Evropën”, deklaroi Berisha për gazetarët në ambientet e jashtme të Parlamentit.
Ky qëndrim është shoqëruar me reagimin e menjëhershëm të ambasadës ruse në Tiranë, e cila i drejton një pyetje Berishës.
“U habitëm nga fjalët e Sali Berishës se 10 vjet më parë ai refuzoi rryshfetin gjoja të propozuar nga Gazprom për zhvillimin e projekteve energjetike në Shqipëri. Na lind natyrshem pyetja: sa kërkoi zoti Berisha që as Gazpromi nuk mundi t’i mbledhë dot ato “shuma përrallore”?”, reagon ambasada në rrjetin social Telegram.
