Bashar Al-Assad majtas dhe Manaf Tlass në vitin 1999 në Kuvajt


Në Paris, Miqtë e Sirisë mblidhen për të diskutuar hapat e ardhshëm të bashkësisë ndërkombëtare.


Paris – Kundërshtarët e diktatorit të Sirisë Bashar al-Assad u takuan sot në Paris për të intensifikuar presionin për heqjen e tij nga pushteti ndërkohë që Assad u përball me dezertimin e një gjenerali, shenjë kjo që flet për shpërbërjen e regjimit të tij. Brigadier Gjenerali Manaf Tlass, një komandant në trupat e Gardës së Republikës dhe mik i ngushtë i presidentit, njoftoi dezertimin e tij. Ai i përket njërës prej familjeve që ka sunduar Sirinë prej dekadash dhe është i biri i një ministri mbrojtjeje gjatë sundimit të të atit të presidentit aktual.


Ministri i Jashtëm i Francës Laurent Fabius tha në takim se një “zyrtar i lartë” ka shpallur dezertimin ndërsa fluturonte për në Paris. Numri i zyrtarëve të lartë që largohen nga Assad është rritur ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, sëbashku me dhunën që Assad po ushtron mbi popullsinë. Por largimi i Tlass është i pari që vjen drejtpërsëdrejti nga rrethi i ngushtë i pushtetit në Damask dhe është një shenjë se vetë qeveria e Sirisë po shpërbëhet.


Gjenerali i larguar njihet si mik i Assad ndërsa i ati i tij, Mustafa Tlass, ka qenë Ministër i Brendshëm i Sirisë nga viti 1972 deri më 2004. Qe pikërisht ai që ndihmoi në krijimin e sistemit diktatorial të këtij vendi.


Ndërkohë, shumë analistë thonë se ngjarjet në terren po zhvillohen më shpejt se sa nismat diplomatike. Niveli i dhunës në Siri ka arritur nivele të paprecedent, deklaroi komandanti i Misionit Monitorues të OKB-së Robert Mood nga Norvegjia. Misioni monitorues e ka ndërprerë punën së fundmi për shkak të dhunës masive.


6 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)