Nuk kanë të sosur çështjet gjyqësore që janë hapur ndaj kompanisë farmaceutike Rejsi Farma. Kjo kompani furnizon spitalet me disa barna për pacientët, faturat e të cilave i paguajnë degët përkatëse të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor sipas konsumit mujor që bëjnë spitalet në rrethe, në bazë të nevojave të pacientëve.

Por pas spitalit rajonal të Fierit, Spitalit Rajonal të Korçës edhe spitali i Beratit është në të njëjtën situatë me kompaninë Rejsi Farma, e cila ka faturuar për barna me të cilat ka furnizuar këtë spital në vitin 2023 në një vlerë prej afro 41 milion lekë.

Por edhe në spitalin e Beratit ashtu si në spitalet e tjera në bazë të akt-akordimeve Rejsi Farma i ka marrë një herë paratë nëpërmjet faturave të lëshuara në fund të çdo muaji, por Rejsi Farma nëpërmjet kësaj manovre kërkon të përfitojë sërish para publike duke i faturuar spitalet për të njëjtën periudhë që është likuiduar një herë më parë.

Madje kërkon që me përmbarues privat të marrë të tjera para publike nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor. Për këtë arsye, degës së Fondit në Berat i ishin bllokuar llogaritë bankare duke penguar kështu aktivitetin e saj për pacientët e qarkut të Beratit.

Por zyra qendrore e Fondit duket se kësaj radhe nuk po e lejon Rejsi Farmën, e cila përveç përfitimeve nga tenderat në shëndetësi ka sajuar këtë praktikë për të përfituar dy herë për të njëjtën sasi barnash.

Zyra e Fondit në Tiranë ka bërë një ankimim të veçantë pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë ku kundërshton vendimin e shkallës së parë të gjyqësorit i cili i jep të drejtë përmbaruesit privat të marrë para publike në spitalet rajonale në rrethe. Në Fier bëhej fjalë për një faturë prej afro 120 milion lekë, në Korçë afro 80 milionë lekë dhe në Berat Rejsi Farma kërkon të marrë vetëm për vitin 2023 afro 41 milionë lekë./ Top Channel