Gjykata federale në Brooklyn ka shpallur fajtor shqiptarin nga Kosova Mirsad Kandiçin, 40 vjeç, për pjesëmarrje në grupin Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë (ISIS), rekrutimin e luftëtarëve për ISIS-in dhe sigurimin e armëve dhe pajisjeve për grupin terrorist.

Mirsad Kandiç, i lindur në Pejë, kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara ndërsa mësohet se kishte leje qëndrimi. 40- vjeçari mund të dënohet me burgim të përjetshëm në muajin nëntor të këtij viti.

Sipas dokumenteve dhe provave të paraqitura në gjykatë, Mirsad Kandiç, kishte shumë përgjegjësi brenda organizatës terroriste globale, ISIS, përfshirë rekrutimin e luftëtarëve të huaj, trafikimin e tyre nga perëndimi përmes Turqisë në Siri, dhe sigurimin e armëve, pajisjeve ushtarake, hartave, parave dhe identiteteve të rreme për luftëtarët e ISIS-it.

Sipas rrëfimeve të 36 dëshmitarëve dhe provave të paraqitura në gjykatë Mirsad Kandiç kishte provuar të largohej nga Shtetet e Bashkuara për në Lindjen e Mesme që në verën e viti 2012, por pa rezultat. Në fundin e vitit 2013 kishte udhëtuar për në Meksikë dhe prej andej për në Panama, Brazil, Portugali, Gjermani, Kosovë dhe Turqi për të arritur me në fund në Siri, ku u ishte bashkuar luftimeve të ISIS-it në periferi të Aleppos.
Udhëheqja e ISIS-it më pas e kishte dërguar Mirsad Kandiçin në Turqi për të marrë rolin e kontrabanduesit të luftëtarëve dhe armëve dhe për të shërbyer si emir për mediat e grupit.

Zyrtarët thonë se Mirsad Kandiç është përgjegjës për rekrutimin e mijëra perëndimorëve për të luftuar në Siri dhe Lindjen e Mesme, përfshirë edhe adoleshentin australian Jake Bilardi, një sulmues vetëvrasës që hodhi vetën në erë dhe vrau më shumë se 30 ushtarë irakianë dhe një polic në Ramadi të Irakut më 11 mars të vitit 2015. Mirsad Kandiç, është arrestuar në gusht të vitit 2017 në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjës, ku sipas agjencive të sigurisë kishte hyre më një pasaportë të falsifikuar ukrainase.