Armand Shakaj, i dyshuar për vrasjen e mikut të tij Eglant Koçi dhe për fshehjen e trupit në zonën e majës së Korrës, vijon të jetë në arrati, ndërsa autoritetet dyshojnë se ai ndodhet ende brenda territorit shqiptar.
Sipas gazetarit Igli Çelmeta në një intervistë televizive, policia ka informacione operative se Shakaj nuk ka kaluar kufijtë e vendit dhe se është vërejtur në zona të ndryshme, kryesisht në Tiranë dhe Elbasan. Hetuesit dyshojnë se ai ka ndryshuar pamjen e jashtme për të shmangur identifikimin.
Bëhet me dije se ekzistojnë të dhëna që i dyshuari është parë duke lëvizur në zonën e “Rrugës së Kosovarëve” në Tiranë, i maskuar dhe me ndryshime të dukshme në pamje, përfshirë prerjen e flokëve dhe mjekrës.
Sipas tij, verifikimet me kamerat e sigurisë kanë konfirmuar lëvizje të tilla, ndërsa dyshohet se Shakaj mund të ndihmohet nga persona të njohur apo rrethi i tij shoqëror për t’iu shmangur policisë.
Autoritetet po vijojnë kërkimet intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
“Ky person rezulton që nuk ka dalë jashtë territorit shqiptar pasi policia ka informacione se fshihet brenda territorit shqiptar. Madje deri në ditën e gjetjes së trupit të Eglant Koçit kishte informacione se ai fshihej në Tiranë, Elbasan, në fshatrat e Tiranës. Policisë pas disa ditësh i ka shkuar një informacion që Armand Shakaj ishte parë në zonën e Rrugës së Kosovarëve, të lëvizte i maskuar. Dyshohet se ka prerë tërësisht flokët, mjekrën, ka ndryshuar ‘look’ dhe veshje tërësisht, për të mos u njohur. Policia ka dyshime që ai ndihmohet nga miq, shokë, të afërm të tij. Falë aktiviteteve të paligjshme që ka kryer më parë, ka edhe mundësi të fshihet. Pasi policia mori informacionin që kishte lëvizur në Rrugën e Kosovarëve, u vërtetua nga kamerat e sigurisë dhe ishte e vërtetë”,- tha Çelmeta.
