Gjykata e Posaçme ka rënduar pozitën e ish-ministrit Ilir Beqaj, teksa i ka kërkuar SPAK-ut të rikualifikojë akuzën.

Gjyqtarja paraprake Fjorala Davidhi i ka sugjeruar SPAK të ngrejë akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal për Beqajn dhe Klodian Rrjepajn.

Siç bëjnë me dije burime të gazetares Anila Hoxha, gjyqtarja Davidhi ka kërkuar veçim të dosjes dhe vazhdim të hetimeve nga SPAK për të saktësuar rolin e ministrisë së Financave në dosjen e Sterilizimit. Gjithashtu edhe të hetohet shtetasi italian Umberto Stachini, që është një nga nënkontraktorët e shoqërive.

Gjykata ka thënë se nuk është e nevojshme të bëhet akt ekspertim për dëmin financiar të shkaktuar nga Sterilizimi, ndërkohë që pritet të japë qëndrimin e tij edhe SPAK pas këtij vendimi. Ndërkohë, SPAK është shprehur se pranon të ngrejë akuzat siç i sugjeron gjykata, pavarësisht se mendon se akuzat e ngritura prej prokurorisë ishin të drejta.