Rëndohet edhe më shumë situata e përmbytjeve në qarkun e Fierit për shkak të vërshimeve që vijnë nga lumenjtë Vjosë dhe Shkumbin.
Gjendja mbrëmjen e sotme në Ferras të Fierit ka qenë kritike, teksa është kërkuar edhe evakuimi i menjëhershëm i banorëve. Shkak është bërë çarja e argjinaturës pas prurjeve të mëdha dhe përmbytjeve nga reshjet e dendura të shiut dhe investimet e këqija të autoriteteve vendore dhe qendrore.
Mësohet se dëmtimi është lokalizuar te argjinatura e kanalit të Martinës në Ferras. Si pasojë uji ka hyrë në fshat duke rrezikuar të gjithë banesat. Ndërkohë raportohet se po merren masa për evakuimin e banorëve. Situata vijon të jetë alarmante.
Ndërkohë, korrespondenti i Top Channel, Mikel Marsi raporton se uji i lumit Vjosë që ka dalë nga shtrati, ka hyrë edhe në autostradën Vlorë- Levan. Një aks rrugor prej 500 metra është me ujë dhe kalimi bëhet me vështirësi.














