Ka dalë jashtë kontrollit zjarri që vijon prej dy ditësh, në fshatin Gojan i Madh të Pukës. Korrespondenti i Top Channel, Klodian Zhivani, bën me dije se në lagjen ‘Pepaj’ janë djegur 3 banesa.

Autoritetet kanë nisur evakuimin urgjent të banorëve të zonës, të cilët janë strehuar përkohësisht pranë shkollës së Gojanit të Madh. Në panik e e sipër, shumë qytetarë kanë nxjerrë orenditë shtëpiake jashtë banesave në përpjekje për të shpëtuar pasurinë e tyre. Të ndodhur përballë një situate dramatike, banorët po kërkojnë me urgjencë ndërhyrje nga ajri për vënien e vatrës nën kontroll. Kujtojmë se urdhri i parë për evakuim erdhi ditën e djeshme nga Ministria e Mbrojtjes, pasi flakët po përparonin me shpejtësi të madhe në drejtim të banesave.

Ekipet e zjarrfikësve dhe efektivët e Forcave të Armatosura po përballen me një terren tejet të vështirë. Situata është rënduar edhe më shumë pasi në zonën e përfshirë nga zjarri kanë nisur të dëgjohen shpërthime të njëpasnjëshme të municioneve të vjetra ushtarake.