Situata me zjarrin në Rriban të Mallakastrës është përshkallëzuar, ndërsa autoritetet përkatëse kanë evakuuar 15 familje, bagëtitë dhe kafshët e tyre shtëpiake. Zjarri është fuqizuar ndjeshëm, duke përfshirë një masiv pyjor me pisha dhe duke vënë në rrezik të drejtpërdrejtë zonat e banuara.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë nisur drejt vatrës, pasi zjarri u është afruar edhe banesave. Në terren janë angazhuar edhe njësitë zjarrfikëse nga Patosi, Roskoveci, Mallakastra, Albpetroli dhe Berati. Shërbimet e Policisë po vijojnë angazhimin në terren në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe strukturat e tjera përgjegjëse. Ndërhyrja po mbështetet edhe nga ajri me një helikopter të Ministrisë së Mbrojtjes, me qëllim izolimin dhe shuarjen zjarrit.