Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me aksionin e ndërmarrë sot nga forcat RENEA, të cilat kanë kryer kontrolle në shtëpinë e Arben Isufajt.

Isufaj, i njohur në Fier edhe me pseudonimin “Ben Qimja”, akuzohet se kishte kanosur e kërcënuar gjyqtarin Vladimir Cjapi. Gjyqtari ka depozituar kallëzimin për Arben Isufajn në prokurorinë e Fierit më datë 17 shkurt, duke pretenduar se kërcënimet prej tij i kishte marrë më 12 shkurt.

Vetë 55-vjeçari Arben Isufaj nuk u gjet në banesën në fshatin Sheq i Madh, por në vend të tij policia gjeti armë dhe municione. Mësohet se policia sekuestroi 1 armë zjarri pistoletë, 1 palë targa të huaja, jelek multifuksional si ai i Policisë, 2 pajisje regjistruese, 6 celularë dhe dokumente zyrtare, sende sipas policisë që do t’i shërbejnë hetimit. Po ashtu, janë shoqëruar në polici edhe persona që kanë lidhje me 55-vjecarin Isufaj.

55-vjeçari është shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, ndërsa në të gjithë qytetin e Fierit po kryhen kontrolle intensive për kapjen e tij.

“Ben Qimja” njihet si njeriu që është përballur disa herë me policinë, prokurorinë dhe gjykatat, ku akuzat kanë qenë për trafik ndërkombëtar droge heroinë dhe kokainë nga Holanda, etj, ndërsa tashmë është i lirë pasi pak vite më parë u rrëzua edhe kërkesa e Italisë për ekstradimin e tij drejt vendit fqinj për trafik kokaine.

Në vitin 2021 SPAK i sekuestroi 13 pasuri me dyshime se vinin nga aktiviteti kriminal.