
RENEA sekuestroi një numër të madh armësh që përdoreshin nga një grup kriminal, ku ishin përfshirë Paris Prenga, Bledar Deda, Flor Abazi ,të tre të arrestuar si edhe Sokol Gjura, i shpallur në kërkim.
Krahas armatimit, i cili ishte i viteve të fundit, policia ka sekuestruar edhe 25 silenciatorë që përdoreshin për armë të ndryshme në shtëpinë e Bujar Jaupit.
Blutë bëjnë me dije se Jaupi ishte me profesion tornitor dhe i shërbente grupit kriminal duke përgatitur për ta silenciatorët.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Bujar Jaupi, me profesion tornitor, i cili u arrestua në flagrancë, janë gjetur dhe sekuestruar 25 silenciatorë për armë të ndryshme të prodhuara nga ky shtetas në tornon që kishte në përdorim në ambientet e banesës, një pistoletë me mulli dhe qindra pjesë për modifikimin dhe riparimin e armëve të zjarrit”, njofton policia.
Krahas silenciatorëve tek shtëpia e Jaupit, RENEA sekuestroi edhe 7 makina, 2 prej të cilave të blinduara, armë të tjera si pistoleta dhe anti-tank si edhe lëndë narkotike.