Shkëputja nga mali e një masivi gurësh ka bllokuar për rreth një orë qarkullimin në autostradën Levan-Tepelenë

Bllokimi i autostradës së inauguruar dy muaj më parë ka ndodhur rreth orës 15.30, në afërsi të fshatit Kremenare të komunës Fratar, në Mallakastër. Për fat të mirë në çastin e shkëputjes së masivit të gurëve, në këtë pjesë të autostradës nuk kishte mjete që udhëtonin nga Levani për në Tepelenë dhe anasjelltas.


Mjetet e firmës ndërtuese kanë ndërhyrë për hapjen e një pjese të rrugës së vjetër duke mundësuar kështu lejimin e qarkullimit. Specialistët italianë të firmës ndërtuese thanë se shkarja e masivit të gurëve është shkaktuar si pasojë e reshjeve të shumta.


Sipas tyre, janë rreth 300 mijë metër kub gurë që janë shkëputur nga mali, ndërkohë që shqetësues është një tjetër masiv gurësh që rrezikon të bjerë sërish në autostradë, i cili ndodhet vetëm 500 metra larg nga rruga.


7 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)