Kryengritja


Rebelët mbërrijnë në dyert e kryeqytetit të shtetit të dështuar


Presidenti i Republikës së Afrikës Qendrore, Francois Bozize, u kërkoi ndihmë SHBA-së dhe Francës për të ndaluar avancimin e rebelëve drejt kryeqytetit Bangui, bën të ditur BBC. Por Presidenti francez, Francois Hollande, e ka bërë të qartë sakaq se nuk ka ndër mend të ndërhyjë në ish-koloninë e vet. OKB-ja po evakuon stafin e vet, ndërsa SHBA-ja u bën thirrje qytetarëve të vet të largohen.


“Ka shumë ankth në kryeqytet dhe banorët janë të ngrirë nga ajo që mund të ndodhë”, tha e dërguara e OKB-së për këtë vend në zemër të Afrikës, Margaret Vogta. Banorët kanë filluar të vendosin rezerva ushqimore nga frika e sulmit të rebelëve të njohur si koalicioni Seleka. Pak ditë më parë, rebelët shtinë në dorë qytetin e tretë më të madh të vendit, si dhe një zonë të pasur me diamante. Tani ata besohet se janë rreth 75 kilometra larg kryeqytetit.


Franca ka rreth 200 ushtarë të vendosur në Republikën e Afrikës Qendrore dhe ka përforcuar kushtet e sigurisë përreth ambasadës së saj. Vendësit protestuan para ambasadës dhe shprehën zemërim për atë që e konsideruan “braktisje nga Franca”.


“Nëse ne kemi prani, ajo nuk është për të mbrojtur një regjim, është për të mbrojtur nënshtetasit tanë dhe interesat tanë. Nuk do të ndërhyjmë në çështjet e brendshme të një vendi”, tha ai. “Ndërhyrje të tilla i përkasin të shkuarës”.


Seleka, e cila përbëhet nga fraksione dezertore të tri ushtrive të ndryshme, akuzojnë Bozize se nuk ka respektuar marrëveshjen e paqes të vitit 2007. Sipas marrëveshjes, luftëtarët dorëzuan armën në këmbim të një page. Ata rifilluan luftimet një muaj më parë dhe kanë arritur suksese në pushtimin e një pjese të vendit. Bozize mori pushtetin në vitin 2003 me një grusht shteti dhe ka fituar dy palë zgjedhjesh pas kësaj. Ai është bazuar në mënyrë të përsëritur te ndërhyrjet nga jashtë për të mposhtur rebelimet, si dhe problemet që i janë shkaktuar nga konfliktet në vendet fqinje, Çadi dhe Sudani. Një forcë paqeruajtëse rajonale me 400 ushtarë gjendet aty e financuar nga Bashkimi Europian.


Republika e Afrikës Qendrore klasifikohet si një shtet i dështuar që nga themelimi i vet në vitet ’60. Ka një sipërfaqe prej 622 mijë kilometrash katrorë dhe 4.2 milionë banorë. Është një nga vendet më të varfra në planet me PBB për frymë prej 456 dollarësh në vit.