Këtë pasdite dhe ditën e nesërme, Shqipëria do të përballet me reshje me intensitet të lartë, kryesisht në veriun dhe jugun e vendit. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër janë më të ekspozuara ndaj reshjeve të mëdha dhe mund të përjetojnë vërshime të shpejta nga lumenjtë e vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.
Në këto qarqe, veçanërisht në zonat urbane, mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, që varen nga gjendja e kanalizimeve dhe kapaciteti i tyre për të përballuar reshjet.
Sipas llogaritjeve hidrologjike të Institutit të Gjeoshkencave, reshjet e dendura të ditëve të fundit, që do të vazhdojnë deri më 8 janar, do të shkaktojnë një rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve të ujit në lumenjtë Drin-Buna, Liqenin e Shkodrës, lumin Mat, Shkumbin dhe Vjosë.
Lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës janë në nivelin më të lartë të rrezikut për përmbytje, pasi prurjet dhe nivelet e ujit do të rriten gjatë ditës së sotme dhe të nesërme.
Parashikimi i motit për nesër:
Bregdet: Temperatura minimale 13°C, maksimale 17°C
Vendet e ulëta: Temperatura minimale 12°C, maksimale 17°C
Vendet malore: Temperatura minimale 5°C, maksimale 11°C
Për shkak të kushteve të motit dhe rrezikut të përmbytjeve, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë për të shmangur ndonjë problem.
