Reshjet e borës vazhdojnë të ndikojnë në qarkun Dibër, duke krijuar vështirësi të mëdha, sidomos në zonat malore të thella. Ngricat dhe temperaturat që kanë zbritur nën zero gradë kanë shkaktuar formimin e akullit, duke bërë të rrezikshme qarkullimin në rrugët rurale.
Në Rrugën e Arbrit, prezenca e borës dhe akullit ka ndikuar në disa segmente, duke rritur rrezikun për aksidente. Po ashtu, rrugët Fushë-Bulqizë, Maqellarë dhe aksesi në njësinë Xibër, afër tunelit të Murrizit, paraqesin vështirësi të tjera për qarkullimin, ku automjetet janë të detyruara të lëvizin me kujdes të shtuar.
Ndërkohë, situata është më e ndërlikuar në njësitë administrative të Lurës, Kala e Dodës, Selishtë, Muhurr, Trebisht dhe Ostren, si dhe në disa fshatra të thella të qarkut Dibër, ku reshjet e borës dhe akulli kanë penguar ndjeshëm lëvizjen e mjeteve.
Autoritetet kanë apeluar për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve, duke i inkurajuar ata të përdorin goma dimërore, veçanërisht në ato zona ku situata është më e vështirë.
