Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me bashkitë dhe strukturat e Emergjencave Civile, vazhdon të monitorojë situatën hidrometeorologjike në terren, pas reshjeve të fundit që kanë përfshirë zonat e ndryshme të qarkut.

Gjatë orëve të fundit, reshjet kanë shkaktuar disa vështirësi, por situata është raportuar si kryesisht e qëndrueshme dhe nën kontroll.

Pavarësisht kësaj, në disa zona vazhdojnë të regjistrohen prezenca uji, sidomos në tokat bujqësore dhe oborret e disa banesave, ndërsa autoritetet vendore janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment për të shmangur përkeqësimin e mundshëm të situatës.

NJOFTIMI:

Në vijim të monitorimit të vazhdueshëm të situatës hidrometeorologjike nga Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me bashkitë dhe strukturat e Emergjencave Civile, situata në territorin e qarkut paraqitet kryesisht e qëndrueshme dhe nën kontroll.

Në Bashkinë Shkodër, reshjet e shiut kanë pushuar prej disa orësh dhe deri më tani nuk raportohen emergjenca. Megjithatë, ka ende prezencë uji në disa zona me tokë bujqësore dhe oborre banesash. Grupet e punës vijojnë monitorimin në zonat me risk të lartë. Në zonën e Obotit, në rrugën kryesore evidentohet prezencë uji rreth 30–40 cm, duke lejuar qarkullimin vetëm për mjete të larta, ndërsa ujë është konstatuar edhe në disa oborre dhe sipërfaqe bujqësore.

Në Bashkinë Vau Dejës, reshjet e mbrëmjes së kaluar kanë qenë me intensitet mesatar. Përroi i Glinës dhe ai i Gjadrit kanë shënuar rënie të nivelit të ujit. Në Njësinë Administrative Bushat, në fshatrat Mal i Jushit dhe Hoten, rreth 15 familje raportohen të bllokuara për shkak të ujit, ndërsa strukturat vendore janë në gatishmëri dhe ndjekin nga afër situatën.

Në Bashkinë Malësi e Madhe, gjatë natës janë regjistruar reshje me intensitet të ulët, pa problematika të raportuara. Situata paraqitet e qetë dhe nën monitorim të vazhdueshëm. Në fshatin Kamicë, përroi i thatë është tërhequr nga rruga.

Në Bashkinë Fushë-Arrëz, vijojnë reshje shiu me intensitet të ulët. Si pasojë e reshjeve të ditëve të mëparshme janë evidentuar shkarje dherash, rënie gurësh dhe prezencë uji në disa akse auto-rurale. Rrugët janë të hapura për qarkullim dhe po punohet për pastrimin e tyre.

Në Bashkinë Pukë, aktualisht vijojnë reshje intensive shiu të shoqëruara me erë të fortë, por deri më tani nuk janë raportuar problematika apo emergjenca civile. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, niveli i ujit në Urën e Bunës është 1.80 metra, niveli i Liqenit të Shkodrës ndodhet në kuotën 7.7 metra, ndërsa në Dajç në kuotën 6.2 metra. Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat e Emergjencave Civile për çdo situatë të mundshme.