Situata e krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit paraqitet në përmirësim të gradualshëm në shumicën e zonave të prekura.
Ministëri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla, ka bërë me dije se niveli i ujërave në sipërfaqet e përmbytura është në rënie, ndërsa rrjeti kullues dhe hidrovorët po funksionojnë me kapacitet të plotë.
Në disa prej lumenjve kryesorë, Vjosa, Semani, Shkumbini, si edhe në zonën e Maliqit, nivelet mbeten të larta, por aktualisht të qëndrueshme. Në fushën e Çukës, shkarkimi i ujit po kryhet me vetërrjedhje, ndërkohë që strukturat e ujitje-kullimit po vijojnë ndërhyrjet për rehabilitimin e argjinaturave dhe forcimin e mbrojtjes lumore.
Prurjet e shumta të ditëve të fundit kanë sjellë depozitime dhe bllokime në portat e Rregullatorit të Ri të Maliqit, duke ndikuar në rritjen e nivelit të Devollit dhe Dunavecit. Ekipet teknike janë në punë të pandërprerë për pastrimin e depozitimeve dhe rikthimin në funksionalitet të plotë të portave, si dhe për ndërhyrje në argjinaturë.
Stafet e DUK-ve të Durrësit, Fierit, Lezhës dhe Korçës ndodhen në terren, duke monitoruar infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytjet dhe duke ndërhyrë në kohë reale, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet vendore dhe strukturat e emergjencave.
