Në Tiranë, protesta qytetare në ditën e 25-të ka vijuar edhe në kushte të vështira atmosferike, pasi reshjet e shiut kanë përfshirë zonën e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin përpara Kryeministrisë.
Pavarësisht motit të keq, pjesëmarrësit nuk janë shpërndarë nga tubimi. Përkundrazi, qytetarët kanë qëndruar në vend me çadra në duar ose nën shi, duke vijuar thirrjet dhe parullat e tyre kundër qeverisë, përfshirë “Rama ik” dhe “Rama jep dorëheqjen”.
Atmosfera në protestë është përshkruar si e tensionuar dhe e vendosur, ndërsa flamujt shqiptarë dhe pankartat me kërkesën për qeveri teknike janë mbajtur të ngritura gjatë gjithë kohës.
Gjatë tubimit, folësit e radhës kanë vijuar fjalimet nga podiumi, duke bërë thirrje për vazhdim të protestës dhe përshkallëzim të aksionit qytetar, ndërsa pjesëmarrja ka mbetur e qëndrueshme pavarësisht reshjeve të dendura.
