Tre persona janë shoqëruar në Policinë e Fierit në kuadër të hetimeve për atentatin me armë zjarri ku humbi jetën 60-vjeçari Selami Hasani, i njohur si “Sel Çami”.

Ngjarja ndodhi në oborrin e banesës së tij, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan me armë ndaj 60-vjeçarit, duke lënë të plagosur rëndë edhe nipin e tij, i cili ndodhej pranë viktimës në momentin e sulmit.

Deri më tani, autorët e atentatit nuk janë identifikuar, ndërsa vijojnë të jenë në kërkim. Hetuesit po analizojnë provat e mbledhura në vendngjarje dhe pamjet e kamerave të sigurisë, me qëllim zbardhjen e dinamikës së krimit.

Një prej pistave ku janë përqendruar hetimet lidhet me automjetet që kanë lëvizur në zonë para dhe pas atentatit. Në pamjet e siguruara është konstatuar një makinë tip “Volvo”, por ende nuk janë identifikuar personat që ndodheshin në të dhe as itinerari i automjetit.

Tre të shoqëruarit po merren në pyetje, ndërsa policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të atentatit.