Një hetim i gjerë antidrogë në Itali ka çuar në goditjen e një rrjeti që dyshohet se trafikonte sasi të mëdha kokaine nga Shqipëria drejt rajonit të Umbrias dhe më gjerë.

Hetimet nisën në vitin 2024, kur autoritetet italiane zbuluan lëvizje të dyshimta droge që i çuan në qytetin e Folignos, i konsideruar si baza logjistike e grupit. Sipas prokurorisë, organizimi drejtohej nga një shtetas shqiptar që vepronte nga Shqipëria dhe menaxhonte furnizimin me lëndë narkotike.

Në Itali, ai ndihmohej nga bashkëshortja e tij dhe dy persona të tjerë, një shqiptar dhe një italian. Grupi dyshohet se përdorte një restorant në Foligno, në bashkëpronësi të gruas së tij, si mbulesë për aktivitetin kriminal dhe për pastrimin e parave të përfituara nga trafiku.

Gjatë operacionit të zhvilluar të martën në provincën e Perugias, policia italiane sekuestroi rreth 68 kilogramë kokainë. Ajo që tërhoqi vëmendjen e hetuesve ishte paketimi i veçantë i drogës, ku disa pako mbanin logo të markave të njohura si “Lacoste” dhe “Ferrari”.

Sipas hetimeve, lënda narkotike shpërndahej kryesisht në Umbria, por edhe në rajone të tjera të veriut dhe qendrës së Italisë. Autoritetet kanë dokumentuar mbi 50 raste të transportit dhe shpërndarjes së drogës.

Anëtarët e grupit përdornin telefona të koduar dhe aplikacione si Signal, Snapchat dhe FaceTime për të komunikuar, ndërsa në disa raste përdornin edhe radio “walkie-talkie”. Për transport, ata shfrytëzonin automjete të modifikuara me hapësira të fshehta.

Operacioni çoi në vendosjen e masave të sigurisë për shtatë persona: tre u dërguan në burgun e Capanne, një u vendos në arrest shtëpie dhe tre të tjerë u shpallën në kërkim.

Pesë nga të dyshuarit janë shtetas shqiptarë, tre prej të cilëve banonin në provincën e Perugias, ndërsa dy të tjerët janë një shtetas italian dhe një me origjinë rumune.

Autoritetet italiane theksojnë se hetimet vijojnë dhe se të gjithë personat e përfshirë konsiderohen të dyshuar deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.