Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters i ka kushtuar një artikull protestave antiqeveritare në Shqipëri, duke vënë në fokus përshkallëzimin e tensioneve në Tiranë dhe masat e reja të njoftuara nga kryeministri Edi Rama për të frenuar dhunën gjatë demonstratave.
Sipas Reuters, protestuesit dolën sërish në rrugët e kryeqytetit këtë të diel, vetëm pak orë pasi kreu i qeverisë bëri të ditur masat e reja. Në një pasdite me shi, demonstruesit u mblodhën fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ku u përballën me karriget e vendosura nga Rama si pjesë e ftesës së tij për dialog.
Agjencia raporton se protestat, të udhëhequra kryesisht nga studentët, janë nxitur nga pakënaqësia për korrupsionin e perceptuar në qeveri, mungesën e vendeve të punës dhe cilësinë e arsimit. Gjatë këtij muaji, demonstratat janë zhvilluar në qendër të Tiranës dhe janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit.
Reuters përmend gjithashtu episodet e dhunës gjatë protestave, ku demonstruesit që kërkojnë dorëheqjen e Ramës kanë vënë flakën ndërtesave qeveritare dhe bankave, kanë thyer vitrina dyqanesh dhe kanë hedhur gurë e pllaka kalldrëmi në drejtim të policisë.
Në një video-adresim, kryeministri u shpreh se ata që kërkojnë largimin e tij gabohen nëse besojnë se mund ta imponojnë dorëheqjen përmes dhunës, por shtoi se jo çdo kërkesë apo kritikë e tyre është e gabuar.
Sipas agjencisë, vala e fundit e trazirave përbën sfidën më të madhe deri më tani për Edi Ramën, i cili është në pushtet që prej vitit 2013 dhe vitin e kaluar siguroi një mandat të katërt qeverisës.
Artikulli i Reuters kujton edhe protestat e mëparshme, kryesisht paqësore, kundër një projekti luksoz turistik në bregdetin shqiptar, të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
Ndërkohë, më herët të dielën, Rama njoftoi masa të reja për të frenuar përshkallëzimin e dhunës. Sipas artikullit, ato përfshijnë një gjobë prej 500 mijë lekësh për personat që marrin pjesë në një protestë e cila shndërrohet në të dhunshme, edhe në rastet kur individët nuk kanë kryer vetë akte dhune.
