Vala e protestave të nisura në Shqipëri ka kaluar kufijtë e vendit, duke mobilizuar edhe komunitetet shqiptare në Europë dhe Amerikën e Veriut. Shqiptarët e diasporës kanë paralajmëruar një seri protestash në solidaritet me demonstruesit në Tiranë.
Këtë të diel, më 14 qershor, protestat do të zhvillohen njëkohësisht në 17 qytete të ndryshme, me një kërkesë të përbashkët politike: dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama.
Tubime janë njoftuar në disa prej qendrave më të mëdha të diasporës shqiptare, përfshirë qytetet amerikane të New York-ut, Chicago-s, Boston-it dhe Michigan-it, si dhe në Toronto të Kanadasë.
Në Europë, protestat do të zhvillohen edhe në disa qytete të Gjermanisë, mes tyre Berlin, Mynih, Këln dhe Stuttgart. Ndërkohë, tubime janë paralajmëruar edhe në Athinë të Greqisë, si dhe në qytetet italiane të Gjenovës dhe Faenzës.
Organizatorët kanë bërë të ditur se manifestime solidariteti do të mbahen gjithashtu në vende të tjera të Bashkimit Europian dhe në shtetet skandinave.
Sipas tyre, pjesëmarrja e gjerë e diasporës synon të tregojë se pakënaqësia ndaj situatës politike në Shqipëri nuk kufizohet vetëm brenda vendit, por reflektohet edhe te shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë kufijve. Protestuesit deklarojnë se do të vijojnë mobilizimin deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
