Tirana do të jetë sërish këtë të martë në qendër të protestave qytetare, ndërsa në orën 18:00 është paralajmëruar zhvillimi i protestës së 17-të radhazi kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Sipas organizatorëve, protestuesit do të mblidhen fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të nisur më pas një marshim drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku do të zhvillohet tubimi kryesor përpara godinës së Kryeministrisë.
Pas përfundimit të fjalimeve dhe qëndrimit para selisë së qeverisë, pjesëmarrësit pritet të vijojnë marshimin në disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit.
Protesta e sotme vjen në vijim të mobilizimeve të njëpasnjëshme të javëve të fundit, ku qytetarët kanë ngritur kërkesa të ndryshme politike dhe sociale, duke e kthyer qendrën e Tiranës në pikën kryesore të tubimeve kundër qeverisë.
