Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Sekretariatit të Etikës përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Kuvendit të deputetit Taulant Balla. Sipas PD, në seancën e datës 6 nëntor, Taulant Balla ka përdorur gjuhë fyese dhe kërcënuese ndaj deputetëve të opozitës, teksa iu drejtua atyre me fjalët: “aty dy që lehin…”.

“Sa herë flasin këta ne nuk flasim, kur flasim ne është njëri në fakt janë dy aty që lehin”, ishin fjalët e Ballës.

Pas kërkesës së Partisë Demokratike për përjashtimin e Ballës nga Kuvendi, deputeti i PS ka reaguar në rrjete sociale. Me nota ironeie ai shprehet se është revolucion që kjo kërkesë etike vjen nga PD. Gjithashtu ai përfundon duke thënë se përgjigjja ndodhet në shprehjen popullore “qentë le të lehin karvani ecën para”.

“Grupi Parlamentar i PD😂 paska kërkuar të verifikohet nëse shprehja “ne nuk lehim” është metaforë apo sarkazmë. Ky qenka revolucion etik, kur kërkesa vjen prej tyre. Lajm i mirë! Megjithatë për sqarim përgjigjia është tek shprehja popullore: “qentë le të lehin, karvani shkon përpara”, thuhet në reagimin e Ballës.