Apeli i Posaçëm ka vendosur të lërë në fuqi masat e sigurisë për anëtarët e grupit të njohur si “Rraja”, të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike.

Në vendim janë konfirmuar masat ndaj Islam Sefës, Rexhep Rrajës, Përparim Rrajës, Gazmir Rrajës, Aldo Gjinit, Zamir Aliajt, Jani Cavos dhe Marvin Bushatit.

Grupi u zbulua pas zbërthimit të komunikimeve në platformën e enkriptuar Sky ECC dhe po hetohet nga Prokuroria e Posaçme SPAK për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge. Sipas hetimeve, Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit Rrahman Rraja, dyshohet se ka pasur rol drejtues në aktivitetin kriminal, duke koordinuar përmes bisedave në Sky ECC trafikimin e sasive të mëdha të kanabisit dhe kokainës.

Në dosjen hetimore thuhet se Rexhep Rraja përdorte dy pseudonime në aplikacionin Sky ECC, “XR 1” dhe “New Sky”. Ai u arrestua më 10 dhjetor, së bashku me kushërinjtë e tij Përparim dhe Gazmir Rraja, si dhe disa anëtarë të tjerë të grupit.

Sipas SPAK, anëtarët e grupit përdornin nofka të ndryshme për të komunikuar, ndërsa një episod i rëndësishëm i hetimit lidhet me kapjen në Turqi, më 26 janar 2021, të 236 kilogramëve lëndë narkotike të dyshuara të dërguara nga Shqipëria.

Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa autoritetet e drejtësisë e konsiderojnë grupin si një nga strukturat kriminale të përfshira në trafikim ndërkombëtar të narkotikëve.