Provimi i shtetit


Kush nuk vlerësohet me mbi 50% të notës do të frekuentojë lëndën vitin tjetër


Shpresa Mezini


Fill pas propozimit që Urdhri i Mjekut i bëri Ministrisë së Arsimit për të rritur kërkesën e llogarisë në Fakultetin e Stomatologjisë, Infermierisë apo Farmacisë, reagon institucioni përgjegjës. Burime zyrtare në MASH sqarojnë për gazetën “Shqip” se me çeljen e vitit të ri akademik këto institucione do të përballen me një sërë masash shtrënguese. Kështu, specialistët e Ministrisë së Arsimit, nisur nga niveli i dobët i arritur nga studentët në provimin e shtetit, si edhe nga shqetësimi i Urdhrit të Mjekut, ka hartuar një plan për zhvillimin e më shumë testimeve gjatë viteve akademike.


“Nisur nga notat e ulëta me të cilat janë vlerësuar të diplomuarit në Fakultetin e Stomatologjisë, Farmacisë apo Infermierisë, vendosëm që, përveç testimeve të parashikuara në kurrikulën akademike të këtyre institucioneve, të realizohen provime shtesë. Kjo, vetëm për lëndët që zënë një përqindje të konsiderueshme në testin e shtetit”, shpjegojnë për gazetën “Shqip”, burime në Ministrinë e Arsimit. Ata theksojnë faktin se rezultatet e arritura deri më tani janë përgjegjësi e vetë studentëve, jo e kurrikulave akademike. Kështu, sipas tyre, në rast se në testet specifike që do të përfshihen në fakultete për herë të parë sivjet, të rinjtë nuk do të arrijnë të vlerësohen me mbi 50% të totalit, do të “ndëshkohen”. Ndërsa nuk dihen ende masat që do të merren, bëhet me dije se nuk do të përjashtohet frekuentimi i lëndës gjatë vitit pasardhës.


Kërkesa


Urdhri i Mjekut i kërkon zyrtarisht Ministrisë së Arsimit që t’i tërheqë vëmendjen Fakultetit të Infermierisë, Stomatologjisë dhe Farmacisë jo për cilësinë e programeve akademike, por për kërkesën e llogarisë gjatë viteve të studimit. Përfaqësuesit zyrtarë të Urdhrit të Mjekut kanë ngritur herë pas here alarmin për nivelin e dobët të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, e megjithatë ende sot nuk është marrë asnjë masë, përkundrazi rezultatet e dobëta sa vijnë e shtohen vit pas viti.


Vlerësimi i stomatologëve, farmacistëve dhe infermierëve në provimin e shtetit për këtë vit rezulton edhe më i dobët se ai i vitit të kaluar. Përballë këtij fenomeni, reagon Urdhri i Mjekut, i cili shprehet i shqetësuar për pikët e arritura në këtë testim, që mbi të gjitha synon dhënien e licencës për ushtrimin e profesioneve të rregulluara me ligj.


Sezoni i parë i provimeve të shtetit, që u zhvillua në muajin janar, rezultoi i pasuksesshëm si për mjekët, stomatologët, infermierët dhe farmacistët, të cilët kanë shfaqur mangësi në njohuritë bazë për të cilat kanë studiuar. Duke iu referuar të dhënave, rezulton se farmacistët, infermierët dhe stomatologët janë më problematikët në këtë drejtim. “Ky problem shfaqet edhe më shqetësues te stomatologët, pasi nga 148 që e dhanë provimin, 39 persona nuk kaluan fare dhe nota mesatare e kaluesve ka rezultuar tepër e ulët, përkatësisht me 6.2. Vetëm një nga studentët e Stomatologjisë është vlerësuar me notën 10. Edhe në këtë rast, pjesa dërrmuese e problematikëve u përkasin fakulteteve private.


Konstatimi – Vlerësimi i stomatologëve, farmacistëve dhe infermierëve në provimin e shtetit sivjet rezulton më i dobët se vjet


Urdhri i Mjekut – I kërkon MASH-it t’i kërkojë më shumë llogari Fakultetit të Infermierisë, Stomatologjisë dhe Farmacisë


Iniciativa – Nisur nga notat e ulëta në testin e shtetit, MASH-i ka vendosur që përveç testimeve të vitit të realizohen teste shtesë


 


 


Rezultatet sipas degëve specifike


Nga 148 kandidatët e përfshirë në provimin e shtetit për profesionin e stomatologut, 39 prej tyre, ose 27 për qind e pjesëmarrësve, kanë rezultuar mbetës. Rreth 34 për qind e mbetësve, ose 33 prej kandidatëve që kanë rezultuar mbetës, u përkasin universiteteve private. Të ulëta janë edhe rezultatet e notave për ata që kanë kaluar. Nota mesatare e stomatologëve që kanë marrë provimin e shtetit është 6.2 dhe vetëm një kandidat ka arritur të marrë vlerësimin maksimal, notën 10. Pjesa dërrmuese e aplikuesve me notën 5, 6 dhe 7. Nga 106 mjekët e testuar, 23 mjekë të përgjithshëm, ose 21.7%, nuk kanë kaluar provimin e shtetit. Ndërsa nota mesatare e arritur prej tyre është 7.3.


Nga 538 farmacistë që iu nënshtruan provimit të shtetit, 44.98 për qind e tyre rezultuan mbetës. Renditur sipas universiteteve, gjithsej kanë ngelur 242 kandidatë, ku vetëm 24 prej tyre i përkasin publikut, pjesa tjetër e diplomuar në universitetet private.