Kuotat bosh, Harizaj: “Kryeson Universiteti i Gjirokastrës”
Ndonëse procesi i regjistrimeve në fakultete ka përfunduar, Agjencia Kombëtare e Provimeve është duke grumbulluar të dhënat, me qëllim numërimin e vendeve të mbetura bosh. Edhe pse u premtua se numri i plotë zyrtar do të publikohet pas datës 1 tetor, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, thotë se deri më tani, në universitetet e vendit rezultojnë mbi 2500 vende bosh. Sipas Harizaj, bazuar tek të dhënat paraprake, listën e vendeve ku numërohen më shumë vende vakante e kryeson Universiteti i Gjirokastrës, në vendin e dytë pozicionohet Universiteti i Korçës, Shkodrës, ndërsa pas tij, ai i Tiranës.
“Programet e studimit në të cilat ka vende vakante janë nga më të ndryshmet, ndërkohë që një numër i vogël vendesh vakante numërohen tek degët elitare, siç është mjekësia, stomatologjia, ekonomiku e drejtësia. Aktualisht specialistët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve kanë filluar përllogaritjen për listën përfundimtare, ndërkohë që bëjnë me dije edhe shifrat e kuotave bosh për universitete të ndryshme, duke marrë si pikë referimi regjistrimin paraprak të të rinjve”, sqaroi drejtori i AKP-së.
Sipas tij, në Universitetin e Gjirokastrës kanë mbetur pa u regjistruar rreth 1200 nxënës, çka do të thotë se 60 për qind e kuotave janë të paplotësuara. Në Universitetin e Korçës numërohen rreth 776 vende vakante, për Universitetin e Tiranës rreth 379, për Universitetin Politeknik rreth 145 dhe për atë të Vlorës 107. E megjithatë, Harizaj bën me dije se këto janë të dhënat paraprake, pasi të dhënat e plota zyrtare do të publikohen pas datës 1 tetor.
“Më shumë kuota bosh kanë mbetur në universitetet e Gjirokastrës, Vlorës, Korçës, Shkodrës dhe të Tiranës. Sipas parashikimeve, bazuar në përvojat e mëparshme, në degët elitare pritet të regjistrohen pak kuota bosh, që në më të shumtën e rasteve vijnë si pasojë e nxënësve që preferojnë të ndjekin studimet jashtë shtetit. Rezulton se numri i të rinjve që do të ndjekin studimet e larta në universitetet perëndimore, por jo vetëm, arrin në rreth 2500”, theksoi drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
Drejtuesit e AKP-së thonë se nuk janë përcaktuar ende se cilat kategori do ta plotësojnë formularin A3, ndërkohë që parashikohet që formati të jetë gati në mes të muajit tetor, rreth datës 15.
Specialistët e arsimit tregojnë se edhe plotësimi i formularit A3 do të bëhet online, njësoj si ai i preferencave. Shpresa Mezini