Sali Berisha është rikonfirmuar në krye të Partisë Demokratike për një mandat tjetër, pasi mori mbi 90% të votave në referendumin e zhvilluar nga PD-ja në të gjithë vendin.

Megjithëse rezultati zyrtar nuk është shpallur ende nga selia blu, raportimet nga degët e partisë tregojnë një mbështetje të gjerë për Berishën, i cili ishte kandidati i vetëm në garë.

Procesi i votimit u zhvillua pa probleme të mëdha, por u shoqërua me pjesëmarrje të ulët, sidomos në degët më të vogla të partisë.

Sipas drejtuesve të PD-së, rreth 51 mijë anëtarë kishin të drejtë vote, një numër më i ulët krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.

Pesë kandidatë të tjerë që kishin dorëzuar dokumentacion për të hyrë në garë u përjashtuan nga procesi, duke bërë që emri i Berishës të ishte i vetmi në fletën e votimit.

Gjatë ditës pati edhe kritika nga figura dhe mbështetës të PD-së, të cilët e cilësuan procesin pa garë reale, ndërsa drejtuesit demokratë e mbrojtën referendumin si një proces normal dhe statutor.