Pse vlonjatet po dalin gjithnjë e më pak në votime? Përgjigjet i japin vetë qytetarët një ditë pas zgjedhjeve në këtë bashki ku u shënua edhe pjesëmarrja më e ulët historike vetëm 12,54%.

“Rezultati dihej edhe pa u bërë zgjedhjet. Jemi kthyer në një shtet me një parti. Nuk ka më opozitë në Shqipëri,” – shprehet një banor i moshuar, i cili tregon se në votime kanë shkuar kryesisht punonjës të administratës, madje, sipas tij, disa janë pyetur edhe për listat familjare.

Të tjerët nënvizojnë mungesën e rinisë në qendrat e votimit, si dhe pakënaqësinë e shtuar nga mungesa e investimeve në infrastrukturën e lagjeve të qytetit. Në zgjedhjet e 9 nëntorit morën pjesë vetëm 21 mijë e 133 qytetarë nga 171 mijë e 895 me të drejtë vote.

Brunilda Mersini u zgjodh kryebashkiake me 15 mijë e 672 vota, ndërsa pjesa tjetër u nda mes dy kandidatëve të pavarur. Në krahasim me zgjedhjet e vitit 2023, diferenca është e ndjeshme. Atëherë, kandidati socialist Ermal Dredha fitoi me 28 mijë e 271 vota, ose 70.5% të numrit të votuesve, ndërsa rivali i tij, Hysni Sharra nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, mori 11 mijë e 802 vota. Në total, në 2023 kishin votuar 41 mijë e 427 qytetarë, një pjesëmarrje prej 24.7%.

Vetëm 50% e votuesve të vitit 2023 dolën të votojnë në 2025 për Brunilda Mersinin. Krahasuar me dy vite më parë, Partia Socialiste në Vlorë ka marrë rreth 12 mijë e 600 vota më pak, ndërsa interesi i qytetarëve për të votuar është ulur ndjeshëm. Për analistët janë disa arsyet pse qytetarët e Vlorës po i bojkotojnë zgjedhjet.

Banorët nga ana tjetër kërkojnë më shumë transparencë, më shumë mundësi për zgjedhje të vërtetë dhe kushte më të mira jetese në qytetin bregdetar./ Top Channel