Pas zhgënjimit që pësoi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, duket se Lulzim Basha dhe të gjithë mbështetësit e tij nuk do të merren më me politikë. Dikur kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk ia doli në këto zgjedhje të fitonte një karrige në Kuvend nëpërmjet Koalicionit Euroatlantik. Basha arriti të mblidhte vetëm 1529 vota më 11 Maj, një shifër që nuk i afrohej aspak të gjithë kandidatëve të tjerë që fituan një mandat.
Kështu, ndryshe nga sa kishte bërë që nga 2015 deri më sot, Basha duket se ka vendosur që të tërhiqet nga politika dhe të mbyllë selinë e “Euro-atlantikëve” të vendosur në rrugën “Ukraina e Lirë”, përballë Kuvendit të Shqipërisë. Sipas zyrës së shtypit të Bashës, zyrat vërtetë do mbyllen, por për të ndryshuar vendndodhjen. Sa për Bashën, lajmërohet se do vazhdojë “betejën” edhe në Strasburg për t’i marrë Partinë Demokratike Sali Berishës.
“Në lidhje me lajmet e publikuara sot nga media të ndryshme, dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik dhe të përgënjeshtrojmë disa informacione të pasakta që po qarkullojnë. Për arsye organizative dhe me qëllim garantimin e mirëadministrimit të punës, jemi në proces ndryshimi të ambienteve ku do të zhvillohet aktiviteti ynë. Kjo nuk nënkupton heqje dorë nga kauza apo angazhimi ynë politik si Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë. Koalicioni Euroatlantik ka qenë një instrument ligjor për pjesëmarrjen në zgjedhje, ashtu siç është bërë e qartë që pas datës 11 qershor 2024, kur pazari politik mes Edi Ramës dhe Sali Berishës prodhoi vendimin skandaloz të Gjykatës së Apelit. Në asnjë moment z. Basha nuk ka hequr, dhe nuk do të heqë dorë, nga përballja për legjitimitetin e Partisë Demokratike, qoftë në Gjykatën e Lartë, qoftë në Strasburg, nëse kjo do të jetë e nevojshme. Sepse padrejtësia nuk duhet të triumfojë në Shqipëri.”
