Projektvendimi
Ministria e Mjedisit: Trajtimi i gomave për disa lloje mjetesh mbron shëndetin dhe ruan mjedisin
Shpresa Mezini
Si në shumë shtete të Europës edhe në vendin tonë pritet miratimi i një projektvendimi, që për herë të parë, parashikon rregullat dhe kriteret për grumbullimin, transportimin, ruajtjen dhe trajtimin e gomave të përdorura të mjeteve rrugore, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Bëhet fjalë konkretisht për mjete si: Ciklomotor, motomjete, automjete, trojlebuese rimorkio, makina bujqësore, makina teknologjike dhe mjete rrugore të veçanta, avionë dhe produkte të tjera të ngjashme, pas ciklit të jetës, të cilat zotëruesi i tyre i nxjerr nga puna ose ka si qëllim ti heqë për shkak të dëmtimeve, fërkimit/gërryerjes ose arsye të tjera. Sipas projektvendimit të hartuar dhe propozuar nga ekspertë të ministrisë së Mjedisit, zotëruesi i gomave të përdorura do të duhet ti dorëzojë pa pagesë gomat e përdorura te grumbulluesi, magazinuesi, te trajtuesi i gomave të përdorura apo në servis në rast zëvendësimi me goma të reja. Miratimi dhe zbatimi i këtij projektvendimi synon veç të tjerash rregullimin me ligj të përdorimit të gomave të përdorura deri në zhbërjen e tyre, duke theksuar se ky proces do të jetë në dobi të shëndetit të njerëzve, por edhe të mjedisit. Zyrtarisht konfirmohet se menaxhimi i tyre do të kryhet nga persona fizikë apo juridikë, të pajisur me leje mjedisore. Një tjetër risi kjo e shtuar, që do të thotë se asgjësimi i gomave të përdorura do të bëhet i mundur vetëm nga persona, që zotërojnë licencë për realizimin e këtij procesi. “Trajtuesi i gomave të përdorura dërgon pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve informacion 1 herë në vit në lidhje me sasitë e gomave/mbetjeve të gomave të përdorura. Grumbulluesi, magazinuesi dhe trajtuesi i gomave/mbetjeve të gomave të përdorura janë të detyruar të mbajnë regjistrime ditore për sasitë e gomave të përdorura të mbledhura, të magazinuara dhe të trajtuara”, sqarohet në projektvendimin e ministrisë së Mjedisit, për “Menaxhimin e Gomave të Përdorura”.
Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri gjatë një viti numërohen deri në 1.4 milionë goma të përdorura, ndërsa asgjësimi i tyre pasi hidhen në landfill mund të zgjasë nga 1 mijë deri në 2 mijë vjet. Ekspertët e mjedisit kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin sa i takon rrezikut që i kanoset mjedisit, si pasojë e hedhjes së tyre në natyrë, pa një proces të mirëfilltë asgjësimi, që në vendin tonë deri më tani ka qenë jo vetëm i mangët, por edhe i jashtëligjshëm. Kjo pasi sipas tyre përbërja e gomave ka disa elementë, të cilët janë shumë të rrezikshëm, siç është karboni, që në disa raste mund të zërë edhe 30% të gjithë gomës, që është shkaktar i një ndotje të lartë mjedisore. Ndërkohë, në disa vende të Europës, por edhe më gjerë, pas mbylljes së furrave të gëlqeres që kryenin djegien e tyre në mënyrë të paligjshme, specialistët e huaj kanë propozuar riciklimin si mënyrën më të mirë për trajtimin e gomave të përdorura. “Që prej vitit 2006 vendet e Bashkimit Evropian e kanë detyrim ligjor të bëjnë riciklimin e gomave të përdorura. Hedhja apo djegia e tyre nuk ka ndodhur ndonjëherë, por edhe depozitimi i tyre përbën rrezik. Në vendet e BE-së një person në momentin e blerjes së një gome paguan një taksë, e cila përdoret më pas për riciklimin e tyre. Ndërkohë në vende të tjera kompanitë që merren me tregtimin e gomave, duhet të depozitojnë në fund të vitit sasinë që kanë shitur në fillim të tij”, pohon një specialist italian i riciklimit të gomave. Sipas tij, gomat e ricikluara mund të përdoren në 13 mënyra si: Në asfalt, energji elektrike, prodhim të shollës së këpucëve, etj.