Kullat e vjetra në Kukës dhe Has, dikur simbole të jetës dhe historisë familjare, po marrin sot një mundësi të re.

Projekti i rijetëzimit synon t’i rikthejë këto ndërtesa me vlera të veçanta arkitektonike në hapësira funksionale, si bujtina, muze dhe qendra kulturore, duke i dhënë një shtysë të re turizmit në zonë. Për trashëgimtarët, kjo nismë nuk është vetëm restaurim, por një mënyrë për të ruajtur identitetin dhe për ta kthyer atë në zhvillim ekonomik.

Ndërkohë, institucionet kanë nisur hapat konkretë për zbatimin e projektit. Aktualisht po bëhet pajisja e trashëgimtarëve me certifikata pronësie, ndërsa faza tjetër parashikon ndërhyrjet për restaurimin e kullave. Projekti shtrihet në katër qarqet e veriut të vendit dhe financohet nga qeveria shqiptare, si dhe nga faktorë ndërkombëtarë. Nga kujtesë e së shkuarës, këto kulla synojnë të kthehen në ura lidhëse mes historisë dhe zhvillimit të së ardhmes./ Top Channel