Pesë vatra zjarri janë aktivizuar njëkohësisht gjatë orëve të fundit në masivin pyjor të Krastës në Krujë, duke rikthyer situatën e alarmit për strukturat e emergjencave civile.
Flakët po favorizohen nga erërat e forta dhe po përhapen me shpejtësi, ndërsa disa prej vatrave janë shfaqur pranë sipërfaqeve të prekura nga zjarret gjatë ditëve të fundit.
Sipas burimeve zyrtare, deri në këto momente nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për banesat apo bizneset pranë zonës pyjore.
Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave civile, të cilat po punojnë për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe intensitetit të zjarrit, operacioni po zhvillohet në mënyrë të koordinuar, me ndërhyrje nga toka dhe nga ajri përmes mjeteve të specializuara.
