Kriminaliteti 


Grabiten furgonë dhe taksi


Pas grabitjes së argjendarisë në Fier, regjistrohet një tjetër grabitje me kallashnikov në Burrel


Situata e kriminalitetit krahasohet me vitin 1997, ku grupet kriminale grabisnin udhëtarët me maska


Shoqërohen 37 persona nga fshati Bushkash


Autorët u zhvatën udhëtarëve varëse, celularë dhe lekë


Grabitjet me kallashnikovë dhe me maska rikthehen frikshëm në Shqipëri. Pas ngjarjes në një argjendari në qytetin e Fierit, ku persona të armatosur morën dy kilogramë flori, një tjetër grabitje shënohet në aksin rrugor Burrel-Milot. Banorët e zonave rreth qytetit të Burrelit janë tmerruar, pasi njerëz të maskuar dhe të armatosur kanë ndaluar dhe grabitur personat që udhëtonin me automjete në rrugën nacionale Burrel-Milot. Grabitja më e fundit është regjistruar në mbrëmjen e së dielës rreth orës 24:00. Sipas policisë lokale, janë grabitur gjatë natës disa furgonë dhe makina të vogla që po udhëtonin në këtë aks rrugor, në vendin ku nis rruga për në fshatin Bushkash. Po sipas burimeve nga Policia e Matit, mësohet se persona me maska dhe të armatosur kanë grabitur gjatë natës vonë të së dielës tre-katër automjete të vogla dhe një furgon. Mësohet se personat që kanë rënë pre e kësaj grabitjeje kanë qenë nga zona të ndryshme të Qarkut Dibër, ku bëjnë pjesë rrethet Mat, Bulqizë dhe Dibër, por edhe një familje nga Fieri. Maskat u kanë marrë udhëtarëve varëse, celularë dhe lekë, si dhe i kanë terrorizuar ata nën kërcënimin e armëve. Ndërkohë, policia e njoftuar për këtë ngjarje, mësohet se ka ushtruar kontroll pothuajse në të gjitha shtëpitë e fshatit Bushkash, duke shoqëruar për në polici jo pak, por 37 persona si të dyshuar që mund të kenë dijeni dhe janë të përfshirë si autorë në këtë ngjarje. Historitë me maska në aksin rrugor nacional Milot-Burrel, nuk janë të pazakonta. Kështu, pas trazirave në vitin ‘97, persona të maskuar, duke përfituar nga mungesa e rendit dhe e ligjit, u shfaqën në dhjetëra e dhjetëra raste, në segmente të caktuara të kësaj rruge, të grabisnin nën kërcënimin e armëve udhëtarët, ku në mjaft raste këto grabitje kanë rezultuar edhe me viktima. Blutë e Burrelit theksojnë se në lidhje me këtë ngjarje ata po patrullojnë vazhdimisht rrugën nacionale, por shfaqjen e këtij rasti të maskave grabitëse të udhëtarëve në rrugë, në mbrëmjen vonë të së dielës, e cilësojnë si sporadike, megjithëse autorët ende nuk janë arrestuar, duke shtuar “frikën” e qytetarëve për të udhëtuar sërish. H.L.