Rikthehet sërish kaosi dhe trafiku i rënduar në aksin e rrugës kombëtare Tuneli i Krrabës – Rrethrrotullimi i Bradasheshit, në hyrje të qytetit të Elbasanit.
Që prej orës 14:30, drejtuesit e mjeteve po përballen me radhë të gjata dhe lëvizje shumë të ngadalësuara në këtë aks të rëndësishëm, i cili lidh Tiranën me Elbasanin, Librazhdin dhe më tej me zonat e Juglindjes së Shqipërisë.
Shkak kryesor i situatës është fluksi i shtuar i automjeteve në drejtim të Pogradecit dhe Korçës, pasi qindra familje nga kryeqyteti janë nisur për të kaluar fundjavën në këto zona.
Si pasojë, qarkullimi është rënduar ndjeshëm, duke krijuar vështirësi të mëdha në lëvizjen normale të mjeteve, veçanërisht në segmentet më problematike të këtij aksi rrugor.
