Vjedhja me armë në Bushkash të Matit. Policia arreston dy adoleshentë të dyshuar
Maskat janë rikthyer frikshëm në rrugët e vendit, duke terrorizuar me breshëri automatiku shoferët, me qëllim për t’i grabitur. Mëngjesi i djeshëm u ka sjellë ndër mend banorëve të Matit tmerret e vitit të mbrapshtë ’97-të, kur grabitësit nën kërcënimin e armës bënin terror në akset rrugore. Dy persona të armatosur dhe me maska, i kanë dalë para një furgoni, me qëllim për ta grabitur, por kur ai nuk ka ndaluar, të maskuarit e kanë qëlluar me armë. Fatmirësisht, drejtuesi i mjetit, i cili mendohet se udhëtonte i vetëm nuk ka pësuar dëmtime, ndërkohë që pak orë më vonë, policia ka mundur të identifikojë dhe të arrestojë dy autorët e dyshuar të ngjarjes, të cilët janë dy adoleshentë, banorë të zonës.
Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë me dije se në orët e para të mëngjesit të djeshëm, rreth orës 02:00, persona të armatosur i kanë dalë përpara një furgoni pasagjerësh në aksin rrugor Burrel-Milot, në afërsi të fshatit Bushkash, duke i kërkuar që të ndalonte. Mësohet se drejtuesi i mjetit, i cili udhëtonte i vetëm, nuk është ndalur dhe për pasojë personat e maskuar kanë qëlluar me armë në drejtim të furgonit me targa MT 3389 A. Sipas policisë, shoferi Petrit Nura, 56 vjeç, nuk është lënduar dhe ka arritur të largohet me shpejtësi.
Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, drejtuesi i mjetit ka shkuar në polici, duke treguar se çfarë kishte ndodhur, vendin ku i kishin bërë pritë grabitësit dhe karakteristikat e tyre. Menjëherë, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur krehjen e zonës, ndërkohë që në orët e pasdites ka deklaruar arrestimin e dy të rinjve, të dyshuar për këtë ngjarje. Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 16:00, nga efektivat e Komisariatit të Matit është bërë arrestimi i adoleshentëve Gjokë Gjin Rica, 18 vjeç, lindur në fshatin Bushkash të këtij rrethi dhe banues në rrethin e Kurbinit dhe Marketin Anton Menga, 16 vjeç, lindur e banues në fshatin Bushkash. “Arrestimi i tyre u bë për veprat penale ‘vjedhje me armë, kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’, pasi për qëllime grabitjeje, ata dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të automjetit të lartpërmendur”, deklaroi zyrtarisht policia.
Grupi hetimor sqaroi më tej se Petrit Nura, me banim në Burrel, udhëtonte i vetëm nga Miloti në drejtim të Burrelit, pasi në mjet kishte ngarkuar mall për tregti. Policia konfirmoi zyrtarisht se menjëherë pas kësaj ngjarjeje është bërë identifikimi, kapja e autorëve, si dhe dokumentimi procedural i saj. Gjatë kontrolleve të ushtruara, autorëve të kësaj ngjarjeje u është gjetur dhe sekuestruar një armë automatike (pushkë dhjetëshe), me të cilën, ata kanë qëlluar me qëllim grabitjen. Grupi hetimor, për këtë ngjarje shoqëroi dhjetë persona, por veç dy të arrestuarve, të tjerët janë lënë të lirë.
Pas ngjarjes, që ka tronditur zonën, por që njëkohësisht ka krijuar edhe pasiguri te shoferët e linjës, drejtuesit e policisë kanë kërkuar shërbime më të shumta të uniformave blu në rrugë, me qëllim për të parandaluar ngjarje të tilla kriminale, që mund të kenë pasoja edhe më të rënda. Gjithashtu, policia ka nisur hetimet për dy personat e arrestuar, për të verifikuar nëse ata janë të përfshirë në ngjarje të tjera kriminale në zonë. Madje, arma e sekuestruar dhe shenjat e gishtave të tyre, u janë dërguar ekspertëve të laboratorit kriminalistik në Ministrinë e Brendshme për të kryer veprimet e duhura verifikuese. H. Likdisha