Hetimet


Grabitja nga tre persona ndodhi në mes të ditës në një zonë të populluar të qytetit


grabitja e argjendarise fier 28 prill 2013 (1)Rikthehen maskat në Fier duke grabitur një tjetër argjendari, ndërkohë që kanë plagosur me qytën e armës pronarin e saj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mes të ditës, në një zonë të populluar të qytetit, por tre personat e armatosur dhe të maskuar kanë mundur të largohen pa rënë në duart e policisë. Ata janë larguar me një automjet të parkuar pranë vendit të ngjarjes, i cili është shpallur në kërkim nga policia lokale.


Policia tha se ngjarja e rëndë ndodhi dje në mesditë, rreth orës 13:30, në qendër të qytetit të Fierit, pranë një parku ku kalojnë kohën e lirë me qindra pensionistë. Tre persona të maskuar dhe të armatosur me armë zjarri kanë shkuar në argjendarinë në pronësi të Maksi Gjergjit dhe i kanë kërkuar atij që të zbrazë tabakatë e bizhuterive. Nga dëshmitarët në vendngjarje është mësuar se njëri prej tyre ka qëndruar te hyrja e dyqanit, duke mbajtur një armë zjarri në dorë, ndërsa dy të tjerët, po nën kërcënimin e armëve, kanë kërkuar të marrin gjithë floririn që gjendej në argjendari. Pronari ka bërë rezistencë, duke mos i lejuar që t’i grabisnin bizhuteritë e florinjta dhe është përleshur fizikisht me ta. Në këto kushte, një nga grabitësit e ka goditur me qytën e automatikut disa herë, ndërkohë që goditjen e fundit ia ka dhënë në fytyrë. Si pasojë e përleshjes, pronari i dyqanit është rrëzuar në tokë, ndërsa grabitësit e maskuar kanë arritur të marrin një sasi të konsiderueshme floriri. Sipas të dhënave nga policia, maskat kanë arritur të marrin gati gjithçka që ka qenë e ekspozuar në dyqan dhe janë larguar me shpejtësi, duke humbur gjurmët. Sipas deklarimeve të dhëna në polici nga dëshmitarët okularë, autorët nuk janë diktuar kur kanë hyrë në dyqan. Vetëm kur pronari ka nisur të bërtasë e të kërkojë ndihmë, atëherë është lajmëruar policia për atë çfarë ka ndodhur. Sipas dëshmitarëve, pasi autorët kanë mbushur një çantë me disa kilogramë me sende të çmueshme, mes tyre edhe bizhuteri të florinjta, janë larguar nga vendi i ngjarjes, duke përdorur një autoveturë. Edhe pse gjithçka ka ndodhur është fiksuar nga kamerat e instaluara në dyqanin e argjendarisë, zbulimi i identitetit të autorëve është i vështirë, pasi ata kanë qenë të maskuar. Pronari ka tentuar t’i heqë maskën një prej autorëve, por pasi tjetri e ka goditur me qytën e automatikut në kokë, është rrëzuar përdhe. Policia ka ngritur me dhjetëra postblloqe në gjithë kryqëzimet e qytetit të Fierit dhe periferive të tij, por deri tanimë nuk është arritur të zbulohet identiteti i grabitësve dhe të realizohet kapja e tyre. Gjatë muajve të këtij viti është hera e dytë që grabitet në mes të ditës argjendari në qytetin e Fierit. Në muajin janar të këtij viti u grabit me armë një tjetër argjendari në bulevardin kryesor të qytetit, ç’ka bëri që pronari i saj të mbyllë aktivitetin tregtar. Në më të shumtën e rasteve, grabitësit u kanë shpëtuar prangave, pasi i kanë kryer vjedhjet e tyre të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve, duke u dhënë atyre mundësinë të largohen pa i identifikuar. E. Hoxhaj