Pritja
Ambasada amerikane në Tiranë dhe ambasadori Alexander Arvizu shtruan dje në mesditë një pritje në nder të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Përveç stafit të ambasadës amerikane, në këtë pritje ishin të pranishëm dhe dy ish-ambasadorët amerikanë në Shqipëri, William E. Ryerson dhe John L. Withers II. Pasi ambasadori Arvizu mirëpriti kolegët e tij Ryerson dhe Withers shprehën emocionet e tyre të thella dhe gëzimin që ndienin për rikthimin në atë që ata e quajtën “familje”. Ambasadori Ryerson i dhuroi ambasadorit Arvizu flamurin origjinal amerikan, i cili u ngrit në ambasadë kur ajo u hap në vitin 1991, në Shqipërinë demokratike. “Po prisja një rast të veçantë për ta kthyer këtë flamur në Tiranë dhe nuk mendoj se ka rast më të mirë sesa ky”, tha ambasadori Ryerson në fjalën e tij. Të dy ish-ambasadorët amerikanë në Shqipëri do të jenë në datën 28 Nëntor në Vlorë dhe më pas në Tiranë për të marrë pjesë në aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë cilësuar si aleatët më të afërt të Shqipërisë gjatë periudhave të rëndësishme historike që vendi ka kaluar. Në fillimin e muajit nëntor, Shqipëria u vizitua nga sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, e cila theksoi se miqësia mes dy vendeve do të vazhdonte dhe për shumë shekuj.