Një situatë problematike është regjistruar pasditen e kësaj të marte në aksin kombëtar që lidh Librazhdin me Përrenjasin, në segmentin e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”.
Raportohet se qarkullimi i automjeteve u bllokua për më shumë se një orë për shkak të rrëshqitjes së masiveve të dherave dhe gurëve mbi trupin e rrugës. Bllokimi ka ndodhur rreth orës 17:45, kur një stuhi e fortë shiu që përfshiu një pjesë të territorit të Librazhdit shkaktoi vërshimin e ujërave dhe materialeve inerte nga shpatet anësore të kodrave drejt rrugës kombëtare. Për pasojë, segmente të konsiderueshme të karrexhatës u mbuluan nga dherat, gurët dhe balta, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve në të dy drejtimet.
Burime nga zona bëjnë me dije se situata është rënduar edhe nga punimet që po kryhen për zgjerimin e rrugës, pjesë e projektit të rëndësishëm të Korridorit VIII. Reshjet intensive të shiut kanë sjellë rrëshqitjen e materialeve në pjesët ku po punohet mbi trasenë ekzistuese, duke krijuar probleme të menjëhershme për qarkullimin.
Si pasojë e bllokimit, në të dy anët e aksit u krijuan radhë të gjata automjetesh, ndërsa drejtuesit e mjeteve u detyruan të prisnin për më shumë se një orë deri në normalizimin e pjesshëm të situatës. Në zonë u angazhuan mjetet dhe punonjësit e kompanisë që po kryen punimet, të cilët punuan për largimin e dherave dhe gurëve nga rruga.
