
Janë rikthyer radhët e gjata në kufi, ku dhjetëra qytetarë janë bllokuar në Kapshticë, pasi pala greke ka mbyllur sportelet si pasojë e plotësimit të kuotës prej 300 persona.
Qytetarët shprehen se kanë plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga pala greke, por më pas janë përballur me radhët e gjata në pikën kufitare.
Disa prej tyre shprehen se kanë mbi 5 orë që presin dhe se po i mbaron edhe afati 72 orë i tamponit, ndërsa paralajmërojnë për grevë.
“Kemi mbi 5 orë që presim, qeveritë ta zgjidhin këtë problem, unë jam me tension, po na skadon orari 72 orë për tamponin, ku ta bëj prap, s’kam lekë. Nesër duhet të jem në punë, si t’ja bej. Ne nuk na e sqaruan mirë, ishin 300 veta përpara, por policët na thanë do kaloni. Tani duhet të presim deri nesër në mëngjes, por ne mbaron koha për tamponin”, thotë një qytetare.
Një tjetër qytetar shprehet se do të duhet të flenë aty, për të pritur orën 6 të mëngjesit të ditës së nesërme, pasi në të kundërt rrezikon sërish të mos kalojë.
“Nesër në orën 6 hapet, do rrimë deri në 6 të mëngjesit këtu, do flemë këtu, se po ikëm do mbesim prap. S’kemi as para të kthehemi pas”, thotë ai.