Fluksi i lartë i automjeteve drejt juglindjes së vendit ka sjellë sërish trafik të rënduar në aksin Tiranë–Elbasan, veçanërisht në zonën e rrethrrotullimit të Bradasheshit, një nga segmentet më problematike gjatë sezonit veror.

Sipas raportimeve nga terreni, radhë të gjata automjetesh janë krijuar gjatë orëve të pasdites së së premtes, teksa qytetarë nga Tiranë janë nisur drejt destinacioneve turistike të juglindjes, përfshirë Pogradec, Korçë, Prespën, Dardhën dhe Voskopojën.

Në këtë fluks kanë ndikuar si pushuesit vendas, ashtu edhe emigrantët dhe vizitorët që ndodhen aktualisht në Shqipëri për sezonin veror, duke rritur ndjeshëm intensitetin e qarkullimit.

Autoritetet parashikojnë që trafiku të mbetet i rënduar edhe në orët dhe ditët në vijim, për shkak të nisjes së fundjavës dhe shtimit të lëvizjeve drejt zonave turistike dhe kthimit të emigrantëve në vendlindje.